KRITERET

Politika e pranimit

Programi “Shkolla e Politikes” synon të jetë i një niveli sa më elitar. Në përputhje me këtë synim pranohen kandidatë që kanë arritur rezultate të larta në karrierën e tyre të deritanishme dhe kanë një nivel të lartë arsimimi në fushat e lidhura me programin.

Pranimi i kandidatëve bëhet nëpërmjet konkurimit paraprak të dosjeve dhe një interviste dhe testi  për personat e perzgjedhur.

Përzgjedhja e kandidatëve bazohet në parimet e barazisë, të drejtësisë, të paanësisë dhe të meritës që nënkupton vlerësimin tërësor të treguesve të kandidatit që përfshijnë arritjet akademike, përputhjen e interesave të kandidatit me qëllimet e programit, nivelin e zotërimit të gjuhës angleze, nivelin e rekomandimit.

Përparësi kanë kandidatët që janë: anëtarët e rinj të parlamentit, zyrtarë të institucioneve qëndrore dhe lokale, të zgjedhurit e  këshillave të bashkive, komunave, përfqaqësues nga sistemi gjyqësor, biznesi, media,  organizatat joqeveritare. Mosha e pjesëmarrësve duhet të jetë deri në 40 vjeç. Shkolla synon një balancim gjinor të pjesëmarrësve si dhe një përfaqësim të barabartë të minoriteteve etnike dhe fetare nëse ata plotësojnë kriteret e tjera. Kandidatët shqyrtohen dhe intervistohen nga anëtarët e Bordit të Akademis
ë së Studimeve Politike dhe lektorë apo ekspertë të tjerë që bashkëpunojnë në zbatimin e programit.
Në rast se ndonjë kandidat heq dorë nga ndjekja e kursit para fillimit të tij, vendin e tij e zë kandidati që renditet pas tij në listën pritëse.

Kriteret e pranimit

Kandidati që kërkon të ndjekë Programin “Shkolla Shqiptare e Politikës” duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
  • Përparësi do tu jepet atyre që zotërojnë një diplomë universitare të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë      vendit.
  • Të zotërojë gjuhën angleze dhe/ose frënge. Zotërimi në nivel të mirë i këtyre gjuhëve kërkohet pasi disa lëndë do të zhvillohen në këto gjuhë. Përbën avantazh zotërimi edhe i ndonjë gjuhe tjetër perëndimore.
  • Të shprehë qartë motivimin e pjesëmarrjes në Programin “Shkolla Shqiptare e Politikës” dhe interesat politike dhe për zhvillim karriere
  • Mosha e kandidatit duhet të jetë deri në 40 vjeç
  • Kandidati preferohet të jetë në një pozicion aktiv publik
  • Të jetë i rekomanduar nga dy persona të cilët i njohin aftësitë akademike, profesionale, kërkimore dhe personale të kandidatit.
Dokumentacioni i pranimit:
 
 - Formular i plotësuar i kërkesës.   
 - Fotokopje të diplomës.   
 - Dy letra rekomandimi, secila e mbyllur në zarf dhe e firmosur nga rekomanduesi.
 - 1 fotografi me format pasaporte.

Procedurat e pranimit

a. Pranimi i dokumentacionit

Dokumentet për konkurrim pranohen brenda datës së parashikuar në thirrjen për aplikime.
Të gjitha dokumentet për konkurrim duhen dorëzuar pranë Zyrës së Akademisë së Studimeve Politike brenda afatit të përcaktuar.

b. Procedura e përzgjedhjes së kandidatëve dhe e komunikimit të vendimit

Faza e parë: Vlerësimi i aplikimeve të kandidatëve
Anëtarët e Bordit të “Akademisë së  Studimeve Politike” shqyrtojnë aplikimet e kandidatëve. Kandidatë të përshtatshëm do të jenë ata që kanë treguesit më të lartë sipas kritereve të pranimit. Do të njoftohen vetem kandidatët e përzgjedhur për intervistë.

Faza e dytë: Intervistimi i kandidatëve
Kandidatët e përzgjedhur si të përshatshëm nga Bordi i nënshtrohen një testi me shkrim dhe një interviste me anëtarë të këtij bordi. Intervista zhvillohet në gjuhën shqipe, angleze dhe/ose franceze. Komisioni i vlerëson kandidatët në bazë të kritereve të caktuara të kësaj faze.

Faza e tretë:  Përzgjedhja e kandidatëve fitues
Bazuar në rezultatet e dy vlerësimeve, Bordi i Shkollës së Politikës përzgjedh  kandidatët fitues. Fitues shpallen kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të pikëve në rend zbritës deri në plotësimin e numrit të parashikuar të pjesëmarrësve.

Faza e katërt:  Komunikimi i vendimit
Në këtë fazë shkolla lajmëron me email secilin kandidat për pranimin ose mospranimin e tij/saj.