Thirrje për aplikime 2011-2012

E Hene, 12 Shtator 2011

Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike dëshiron t’ju njoftojë se ka filluar procedurat e pranimit të aplikimeve për vitin 2011-2012.   Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike është një program i Këshillit të Evropës, me bashkëfinancim nga Kooperacioni Zviceran, i konceptuar si një instrument i cili mund të ndihmojë liderët e rinj në sektorët administrativë, ligjorë, ekonomikë, socialë, dhe kulturorë të përgatiten për funksionet e tyre. Nëpërmjet dialogut dhe mësimit interaktiv, Shkolla do të trajtojë një gamë të gjerë të sfidave në shoqëritë tona,  si edhe do të ndihmojë në krijimin e lidhjeve mes brezave të rinj të liderëve në vendet e tyre si dhe jashtë kufijve.   Profili i pjesëmarrësve
Anëtarët e rinj të Parlamentit, zyrtarë të institucioneve qëndrore dhe lokale, të zgjedhurit e  këshillave të Bashkive, komunave, përfaqësues nga sistemi gjyqësor, biznesi, media,  organizatat joqeveritare. Mosha e pjesëmarrësve të jetë deri në 40 vjeç. Shkolla synon një balancim gjinor të pjesëmarrësve si dhe një përfaqësim të barabartë të minoriteteve etnike dhe fetare nëse ata plotësojnë kriteret e tjera.

Kriteret e pranimit
Kandidati që kërkon të ndjekë Programin “Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:

  • Përparësi do t’u jepet atyre që zotërojnë një diplomë universitare të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë vendit.
  • Të zotërojë gjuhën angleze dhe/ose frënge. Zotërimi në nivel të mirë i këtyre gjuhëve kërkohet pasi disa lëndë do të zhvillohen në këto gjuhë. Përbën avantazh zotërimi edhe i ndonjë gjuhe tjetër perëndimore.
  • Të shprehë qartë motivimin e pjesëmarrjes në Programin “Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” dhe interesat politike dhe për zhvillim karriere
  • Mosha e kandidatit duhet të jetë deri në 40 vjeç
  • Kandidati preferohet të jetë në një pozicion aktiv publik
  • Të jetë i rekomanduar nga dy persona të cilët i njohin aftësitë akademike, profesionale, kërkimore dhe personale të kandidatit.
Dokumentacioni i pranimit:
  • Formular i plotësuar i kërkesës.
  • Fotokopje të diplomës.
  • Dy letra rekomandimi, secila e mbyllur në zarf dhe e firmosur nga rekomanduesi.
  • 1 (një) fotografi me format pasaporte.

Personat e interesuar janë të lutur të paraqiten në zyrat e Këshillit të Evropës në Tiranë për të tërhequr formularin e kërkesës dhe të letrës së rekomandimit apo ti shkarkojnë ato nga faqja e internetit www.shkollapolitike.org   Shkolla ka një tarifë regjistrimi prej 150 Euro (vetëm për të përzgjedhurit).
Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është data 12 tetor ora 17:00.   Dorëzimi i aplikimeve duhet të bëhet pranë Zyrës së Këshillit të Evropës:
Sheshi Skenderbej, Pallati i Kultures, Kati i pare; Tel: 00355 4 228419, 00355 4 254227; Fax: 00355 4 248940; E-mail: rovena.meslani@shkollapolitike.org ; Internet: www.shkollapolitike.org