
E Merkure, 26 Qershor 2024
“Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” mbylli me sukses vitin akademik për pjesëmarrësit e gjeneratës 2023-2024. Një grup prej 20 drejtuesish të rinj politikë dhe qytetarë u diplomuan pas përfundimit të një cikli njëvjeçar mbi mirëqeverisjen, organizimin politik, lidershipin si dhe politikat e Bashkimit Europian.
Ceremonia e diplomimit u përshëndet nga Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giuliu Re, dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Silvio Gonzato, të cilat përgëzuan të diplomuarit dhe i inkurajuan ata që të transmetojnë më tej vlerat dhe njohuritë e përfituara gjatë programit.
Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, vlerësoi në fjalën e tij kontributin që ofrojnë pjesëmarrësit e Shkollë, si profesionistë të rinj të edukuar dhe talentuar që kanë zgjedhur të zhvillojnë karrierën e tyre në Shqipëri. Angazhimi i tyre në politikë, pushtetin vendor dhe aktivizimin qytetar, është edhe më i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe ofrimit të shembullit pozitiv për të rinjtë që mendojnë largimin.
Në përshëndetjen e saj znj. Re theksoi rolin e rëndësishëm që luan edukimi për udhëheqësit e rinj për nxitjen e një demokracie të qëndrueshme, tashmë që demokracia është vendosur nën kërcënim nga zhvillimet e fundit. “Secili prej jush ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, në sferën profesionale apo qytetare, në mbështetje të transformimeve demokratike të vendit. Zgjidhja e çdo problemi të demokracisë, është ofrimi i më shumë demokracie. Këshilli i Evropës beson tek ju si promotorë të ndryshimit pozitiv”.
Ambasadori Gonzato, vlerësoi programin e Shkollës si një mundësi për të ulur së bashku të rinjtë me mendime dhe formime të ndryshme, por me dëshirën për të diskutuar dhe gjetur së bashku përgjigjet për problemet me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare. “Jam i suprizuar nga kompetencat dhe përgatitja e të rinjve shqiptarë që takoj. Kudo ndeshem me të rinj të mrekullueshëm, me ide dhe vullnet për ta përmirësuar zhvillimin e vendit tuaj. Ju inkuraroj që të vijoni më tej angazhimin dhe këtë frymë bashkëpunimi, për të cilën ka nevojë sot integrimi evropian i vendit”.
Dy përfaqësues të grupit të diplomuar, gazetarja Klodiana Lala dhe juristi Marash Logu, përshëndetën në emër të studentëve dhe falenderuans Shkollën dhe ekspertët që u bënë pjesë e programit akademik për mundësinë e dhënë.
Më pas ceremonia vijoi me ndarjen e diplomave për pjesëmarrësit, të cilët i bashkohen nga ky moment rrjetit të mbi 400 alumnëve të Shkollës, duke vazhduar të ofrojnë angazhimin e tyre profesional dhe qytetar në nisma të ndërmarra nga Akademia e Studimeve Politike, si zbatuese e programit të Shkollës që prej vitit 2007.