Zhvillohet kursi i Shkollës Politike mbi sistemet zgjedhore dhe komunikimin

E Diele, 07 Prill 2024

Kursi i parë kombëtar i Shkollës Shqiptare së Studimeve Politike 2024 me temë "Sistemet zgjedhore dhe komunikimi politik" u zhvillua në datat 5-7 prill 2024 në Vlorë.

Moduli i parë i kursit u fokusua në komunikimin politik dhe fushatat elektorale.  Z. Neritan Sejamini, ekspert i qeverisjes dhe komunikimit, solli një analizë kritike mbi strategjitë e komunikimit të partive politike, si një faktor i rëndësishëm për fushatat elektorale dhe rezultatet e zgjedhjeve.

Sistemet zgjedhore dhe diskutimet aktuale për një reformën zgjedhore u prezantuan nga z. Oerd Bylykbashi, nënkryetari i PD dhe ekspert i reformave të rëndësishme. Diskutimi ndihmoi për të hedhur gjithashtu më shumë dritë mbi ecurinë e reformës zgjedhore aktuale dhe rolin e faktorit ndërkombëtar në arritjen e një konsensusi mbi këtë reformë. Bashkëbisedimi me Z.Ervis Moçka, kreun e Këshillit të Qarkut Vlorë, solli një qasje praktike të organizimit të fushatave zgjedhore të PS dhe ndërveprimin e përfaqësuesve politikë me qytetarët.

Moduli i dytë i kursit, prezantoi për pjesëmarrësit gjetjet e një studimi mbi zbatimin e ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri, një punim i hartuar nga z. Eduard Halimi me mbështetjen e Fondacionit Westminster Foundation për Demokraci (WDF). Rekomandimet për të plotësuar mangësitë e konstatuara gjatë një dekade të zbatimit të këtij ligji u prezantuan për pjesëmarrësit nga eksperti ligjor Z. Marash Logu.

Programi i Shkollës zbatohet me mbështetjen e Këshillit të Evropës. Bashkëpunimi me Fondacionin Westminster Foundation për Demokraci mundësoi integrimin e temës së dekriminalizimit dhe rritjes së integritetit të politikës në kurrikulën e Shkollës.