Shëndeti publik në BE dhe Shqipëri në fokus të Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit

E Shtune, 21 Janar 2023

Moduli i dhjetë dhe i fundit i Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian i fokusuar në temën “Shëndeti publik në BE dhe Shqipëri (Kapitujt: 7, 10, 28)” u zhvillua më datat 20- 21 Janar 2023. Sesioni i parë nisi me Znj. Eglantina Bardhi, Drejtore Ekzekutive pranë Organizatës “Together for Life”. Ajo informoi pjesëmarrësit mbi hapat dhe procedurat ligjore që ndiqen në çështjet kur ka shkelje të të drejtave të pacientëve dhe ndau disa raste të suksesshme në të cilat janë zbatuar këto të drejta. Sesioni i dytë u zhvillua nga Znj. Elona Gjebrea, lektore pranë Universitetit “New York Tirana”, e cila ndau të dhënat e një studimi që është shtrirë në një fazë kohore prej 9 muajsh, duke përfshirë disa shtete të Ballkanit, që është kryer në lidhje me qasjen e të rinjve në informacion, edukim dhe kujdes ndaj shëndetit në Shqipëri gjatë pandemisë së COVID-19. Sesioni i tretë dhe i funidt, kishte si folës Z. Dritan Ulqinaku, Nëndrejtor pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Ai e nisi sesionin duke shpjeguar për të pranishmit, mbi misionin që ka ky institut në mbrojtjen e populatës. Gjatë diskutimeve një vemëndje të veçantë morën masat që duhet të ndërmerren për të mbrojtur konsumatorin shqiptar në mënyrë efektive nga risqet dhe kërcënimet në fushën e shëndetësise, si dhe strategjitë që duhet të ndiqen në vijim për të parandaluar emergjenca të ngjashme si ajo e COVID-19.