Kursi i dytë i Shkollës mbi Qeverisjen dhe Zhvillimin

E Diele, 04 Qershor 2023

Kursi i dytë kombëtar i Shkollës së Studimeve Politike, nën temën "Qeverisja dhe zhvillimi i qëndrueshëm", u organizua në datat 2-4 qershor 2023 në Golem, Kavajë. Moduli mbi strategjitë dhe prioritete drejt zhvillimit të qëndrueshëm u trajtua nga Oriana Arapi, drejtuese e Njësise për Planifikimin Strategjik dhe Programet e Zhvillimit pranë Këshillit të Ministrave.
Eksperti Neritan Sejamini ofroi në modulin e tij një prezantim mbi marrëdhëniet e shtetit dhe tregut dhe përkthimin e ideologjive politike në politikat publike.

Legjislacioni dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive produkt i veprimtarisë kriminale, u trajtua nga Ylli Pjetërnikaj, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Fabian Zhilla, lektor i së drejtës dhe këshilltar ligjor i kreut të SPAK, plotësoi temën nëpërmjet prezantimit të flukseve të paligjshme financiare si një faktor që rrit ndikimin e krimit të organizuar në politikë. Mekanizmi i sinjalizimit dhe mbrojta e sinjalizuesve si një praktikë kundër korrupsionit në administratë dhe biznes, ishte në fokus të modulit të fundit të kursit, nën drejtimin e Arjan Dyrmishi, drejtor i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

Ky kurs u bashkëfinancua nga Programi Global "Lufta kundër flukseve të paligjshme financiare", zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze (MPJ).