
E Marte, 21 Prill 2009
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave drejtues dhe studentë të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, e cila është hapur si një iniciativë e Këshillit të Evropës dhe shënon vitin e saj të tretë akademik në vendin tonë.
Pasi është përshëndetur dhe i ka përcjellë urimet dhe përgëzimet më të mira për këtë ndërmarrje të rëndësishme sa akademike, aq dhe për kontributet reale praktike në formimin e specialistëve të rinj në spektrin e shkencave politike, Kryetari i Shtetit ka bashkëbiseduar me studentët duke u ndalur në fjalën e tij në eksperiencën politike shqiptare, ecurinë e saj gjatë viteve të tranzicionit dhe rëndësinë që ka për të ardhmen e vendit përfshirja e një brezi të ri e të kualifikuar në politikë.
Presidenti Topi ka ndarë me studentët e brezit të tretë të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike edhe kënvështrimin mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria si vend tashmë anëtar i NATO-s e aspirant-kandidat i Bashkimit Evropiannë si dhe mbi disa prej çështjeve më aktuale të zhvillimeve politike në vend dhe në rajon.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti Topi i është përgjigjur interesimit të studentëve mbi ecurinë së procesit të kartave të identitetit, pavarësinë dhe funksionimin e institucioneve në vend, detyrat dhe përgjegjësitë e shtetit dhe popullit shqiptar në kuadër të përmbushjes së sfidave euroatlantike.








