
E Merkure, 05 Tetor 2016
Një grup i pjesëmarrësve të vitit
2016 të Shkollës si dhe alumnëve të saj, zhvilluan dje një bashkëbisedim me një
prej emrave më të njohur të politikës zvicerane, njëkohësisht mbështetësin e
pavarësisë së Kosovës, z. Andreas Gross. Diskutimi i hapur mbi sfidat e
demokracisë sot në Evropë dhe aktivizimin e qytetarëve në vendimmarrje ngjallën
interesin e duhur të pjesëmarrësve.
Debati u fokusua edhe tek niveli i
zhvillimit të demokracisë në Shqipëri falë eksperiencës të vizitave të shumta
monitoruese që ka zhvilluar z.Gross në vendin tonë në rolin e kryetarit të
grupit socialist në Ansamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës si dhe në
vëzhgimin e proceseve të ndryshme zgjedhore.
Zoti Gross vlerësoi nivelin e lartë të diskutimit dhe inkurajoi pjesëmarrësit
që të vazhdojnë angazhimin e tyre në reformat e rëndësishme në vend. Takime të
tilla me pjeswmarrwsit dhe alumnit u shërbejnë personaliteteve të huaja për të
njohur opinione profesionale dhe të balancuara mbi zhvillimet e vendit.








