
E Merkure, 22 Nentor 2023
“Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” mbylli me sukses vitin akademik për pjesëmarrësit e gjeneratës 2022-2023. Një grup prej 20 drejtuesish të rinj u diplomuan pas përfundimit të një cikli njëvjeçar mbi mirëqeverisjen, organizimin politik, lidershipin si dhe politikat e Bashkimit Europian.
Ceremonia e diplomimit u përshëndet nga ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, znj. Bora Muzhaqi, si dhe shefja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giuliu Re, të cilat përgëzuan të diplomuarit dhe i inkurajuan ata që të transmetojnë më tej vlerat dhe njohuritë e përfituara gjatë programit.
Në përshëndetjen e saj znj. Muzhaqi nënvizoi vlerat që transmeton kjo shkollë dhe rëndësinë e rrjetëzimit që mundëson me të rinj të tjerë për të sjellë një ndryshim pozitiv në shoqërinë shqiptare. Znj. Muzhaqi solli shembullin e saj si një prej pjesëmarrësve të Shkollës të gjeneratës 2017 dhe nxitjes për të kontribuar më tej duke u angazhuar në politikë.
Drejtuesja e Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Re, theksoi në fjalën e saj rolin e rëndësishëm që luan edukimi për udhëheqësit e rinj për nxitjen e një demokracie të qëndrueshme, tashmë që demokracia është vendosur nën kërcënim nga zhvillimet e fundit. “Secili prej jush ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, në sferën profesionale apo qytetare, në mbështetje të transformimeve demokratike të vendit, për të përmirësuar të ardhmen tuaj dhe të brezave që do të vijnë”.
Dy përfaqësues të grupit të diplomuar, Lorina Misku dhe Osman Stafa, përshëndetën në emër të grupit dhe falenderuan për mundësinë e dhënë për të rritur njohuritë e tyre ASP dhe mbështetësit e programit.
Më pas ceremonia vijoi me ndarjen e diplomave për pjesëmarrësit, të cilët i bashkohen pas këtij momenti rrjetit të mbi 400 alumnëve të Shkollës, duke vazhduar të ofrojnë angazhimin e tyre profesional dhe njerëzor në nisma të ndryshme të ndërmarra.